top of page
Search

Kur Diskutohet Vota e Diasporës, Problemet e Shqiptarëve në Britani Harrohen

  • Saimir Kumrija
  • Jan 30
  • 6 min read

 

Nga Saimir Kumrija

 



Në një kohë kur diskutohet për votën e diasporës, diaspora shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar përballet me shumë probleme.


Diskutimi për të drejtën e diasporës për të votuar dhe për t'u përfaqësuar në politikën shqiptare është bërë një temë qendrore në muajt e fundit. Por ndërsa kjo çështje zë faqet e para të mediave dhe agjendat e politikës, një realitet tjetër, shumë më i dhimbshëm, po ndodh në heshtje për mijëra shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.


Ky realitet është përballja e tyre me sfida të mëdha që fillojnë me mungesën e dokumentacionit dhe vazhdojnë me stigmatizimin, përfshirjen në aktivitete kriminale dhe mungesën e mundësive për integrim të plotë në shoqërën britanike.


Shqipëria ka një nga diasporat më të mëdha në raport me popullsinë e saj, dhe Mbretëria e Bashkuar është një nga destinacionet kryesore për emigrantët shqiptarë, veçanërisht në dekadën e fundit. Home Office raporton se në vitin 2022, mbi 12,658 shqiptarë kaluan Kanalin Anglez përmes gomoneve dhe mjeteve të vogla, duke përfaqësuar 30% të totalit të emigrantëve të paligjshëm për atë vit. Këto shifra, ndër më të lartat për një kombësi të vetme, nxjerrin në pah një krizë të thellë sociale dhe ekonomike në Shqipëri që shtyn të rinjtë të largohen nga vendi i tyre për një jetë më të mirë. Ndërkohë, kjo valë emigrantësh ka krijuar sfida të mëdha në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke ndikuar jo vetëm te politikat e emigracionit, por edhe te perceptimi publik për shqiptarët.


Kriminaliteti dhe Emigracioni i Paligjshëm


Një ndër shqetësimet më të mëdha lidhet me përfshirjen e një pjese të emigrantëve shqiptarë në aktivitete kriminale. Më shumë se 1,200 shqiptarë (Ministria e Drejtësisë në MB) ndodhen aktualisht në burgjet britanike, duke përfaqësuar 1 në 50 të burgosur në Angli dhe Uells. Mediat britanike kanë raportuar shpesh për rrjete të organizuara kriminale me përfshirje shqiptare, duke i lidhur ato me trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore.

Në të njëjtën kohë, sipas National Crime Agency (NCA), shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të viktimave të skllavërisë moderne. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2022, 591 shqiptarë u raportuan si viktima të mundshme të trafikimit, duke përfaqësuar më shumë se gjysmën e rasteve të raportuara në Mbretërinë e Bashkuar. Këto të dhëna tregojnë dy anët e medaljes: disa përfshihen në rrjete kriminale, ndërsa të tjerë bien viktima të shfrytëzimit dhe abuzimit.


Padashur Po Prodhimi Kriminelë: Efekti i Mungesës së Dokumentacionit


Një tjetër aspekt shqetësues i situatës së emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar është ndikimi që ka mungesa e dokumentacionit mbi jetën e tyre. Shumë shqiptarë që hyjnë në mënyrë të paligjshme mbeten pa dokumente dhe, për rrjedhojë, përjashtohen nga mundësitë për punë të ligjshme, arsim, apo shërbime bazë. Kjo situatë i shtyn ata drejt ekonomisë së zezë dhe shpesh drejt aktiviteteve kriminale si një mënyrë për të mbijetuar.


Sipas të dhënave të Home Office, një numër i madh i emigrantëve pa dokumente përfshihen në aktivitete të lidhura me drogën dhe rrjete të tjera kriminale. Rrjetet e organizuara përfitojnë nga situata e tyre e brishtë, duke i rekrutuar si punëtorë të paligjshëm në plantacionet e kanabisit apo si shpërndarës droge. Një raport i National Crime Agency tregon se shqiptarët përfaqësojnë një pjesë të madhe të forcës punëtore të shfrytëzuar në këto aktivitete, pikërisht për shkak të mungesës së statusit të tyre ligjor.


Këta individë shpesh ndihen të detyruar të pranojnë oferta nga rrjete kriminale për shkak të presionit ekonomik dhe pamundësisë për të gjetur punë të ligjshme. Sipas një raporti të vitit 2023, 70% e shqiptarëve pa dokumente që ndodhen në burgjet britanike janë arrestuar për krime të lidhura me drogën (NCA Report, 2023). Kjo nuk është një zgjedhje, por një pasojë e mungesës së rrugëve të tjera për mbijetesë.


Në vend që të ndërtojmë një brez të ardhshëm të fuqishëm dhe të integruar, pa dashje po krijojmë kushte që prodhojnë kriminelë. Ky është një cikël që përforcohet nga politika të ashpra të emigracionit dhe nga mungesa e një bashkëpunimi efektiv për të integruar emigrantët që kanë mbërritur.


Kërkesat për Azil dhe Deportimet


Shqiptarët gjithashtu dominojnë listën e kërkesave për azil. Sipas të dhënave të Home Office, në vitin 2022, 15,925 shqiptarë (Asylum Applications Statistics, 2022) aplikuan për azil në Mbretërinë e Bashkuar, nga të cilët shumica ishin burra të rinj të moshës 18-34 vjeç. Nga këto aplikime, 51% u pranuan, ndërsa pjesa tjetër u refuzuan ose janë ende në proces shqyrtimi.

Deportimet kanë qenë një tjetër element i rëndësishëm. Në vitin 2023, më shumë se 3,000 shqiptarë u kthyen në Shqipëri si pjesë e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve. Mbretëria e Bashkuar ka shtuar kontrollet kufitare dhe ka forcuar politikat e emigracionit për të penguar flukset e paligjshme.

 

Ekonomia dhe Rinia Shqiptare


Një ndër faktorët kryesorë që shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit është mungesa e mundësive ekonomike në vend. Në Shqipëri, papunësia për të rinjtë arrin deri në 20%, ndërsa shumë të rinj ndihen të zhgënjyer nga mungesa e perspektivave. Mbretëria e Bashkuar, përkundrazi, shihet si një tokë mundësish, ku ata shpresojnë të gjejnë punë dhe të ndërtojnë një jetë më të mirë.

Megjithatë, shumë prej tyre përballen me kushte të rënda, si shfrytëzimi nga rrjetet e trafikimit apo punët ilegale me paga minimale. Këto kushte shpesh i kthejnë ëndrrat e tyre në një makth.

 

Përpjekjet dhe Politikat e Reja


Për të adresuar këtë situatë, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh. Në dhjetor 2022, Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe homologu shqiptar Edi Rama ranë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi për të kufizuar emigracionin e paligjshëm. Si rezultat, autoritetet britanike raportuan një ulje prej 90%të numrit të shqiptarëve që kaluan Kanalin Anglez në gjysmën e parë të vitit 2023.

Emigrimi Legal: Rruga e Vetme për një të Ardhme të Qëndrueshme

 

Zgjedhja për të emigruar duhet të jetë gjithmonë e bazuar në rrugët ligjore dhe të rregullta, sidomos përmes mundësive të punësimit. Emigrimi i paligjshëm, përmes gomoneve apo rrugëve të tjera të rrezikshme, jo vetëm që vë në rrezik jetën e individëve, por i ekspozon ata ndaj shfrytëzimit, kriminalitetit dhe stigmatizimit. Për më tepër, ata që hyjnë në mënyrë të paligjshme mbeten jashtë sistemit ligjor dhe ekonomik të vendit pritës, duke humbur aksesin në mundësi për arsim, shërbime bazë dhe punë të qëndrueshme.


Emigrimi përmes punësimit të ligjshëm jo vetëm që siguron një fillim të ri në një vend të huaj, por gjithashtu krijon mundësinë për një integrim më të mirë në shoqërinë pritëse. Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe programeve të ndryshme të vizave të punës, shumë vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, ofrojnë rrugë ligjore për ata që kanë kualifikime dhe dëshirojnë të kontribuojnë në tregun e tyre të punës. Kjo qasje jo vetëm që siguron dinjitet dhe mbrojtje për emigrantët, por edhe minimizon rreziqet e përfshirjes në aktivitete të paligjshme.


_______

Në një kohë kur diskutohet për votën e diasporës, është thelbësore të kuptohet se diaspora shqiptare nuk është vetëm një burim remitesash apo potencial elektoral. Ajo është një pjesë jetike e kombit tonë, që përballet me sfida të shumta, duke filluar nga mungesa e mundësive ekonomike deri te stigmatizimi në shoqëritë pritëse.

Emigracioni shqiptar drejt Mbretërisë së Bashkuar është një pasqyrë e sfidave sociale dhe ekonomike të Shqipërisë. Ky fenomen nxjerr në pah dështimet strukturore në krijimin e kushteve të jetesës dhe punës për të rinjtë brenda vendit. Përtej statistikave dhe politikave, kjo është një histori njerëzore e shpresës së thyer dhe e kërkimit për një të ardhme më të mirë.

Siç tregojnë statistikat nga Home OfficeNational Crime Agency, dhe raportet mbi skllavërinë moderne, ka ardhur koha për një qasje më të qëndrueshme dhe më njerëzore ndaj emigracionit. Shqipëria dhe Britania duhet të punojnë së bashku për të ndaluar ciklin e largimeve dhe për të krijuar politika që mbështesin integrimin social dhe ekonomik të shqiptarëve jashtë vendit.

Nëse nuk merren masa të qarta dhe të menjëhershme, Shqipëria rrezikon të humbasë një brez të të rinjve që mund të ishin shtylla e zhvillimit të vendit. Politikat që integrojnë të rinjtë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, duhet të jenë prioritet kombëtar dhe ndërkombëtar.



________________



Ekspertize ne:


Spouse Visa

Kalimi nga Spouse Visa ne Indefinite Live to Remain

Parent Visa

Partner Visa

Skilled Worker Visa

Application for Naturalization

Application British Passport

Graduate visa

Sponsorship License

Kalimi nga Skill Worker Visa ne Indefinite Live to remain

Ceshtje Kampi

 

 

 
 
 

Comments


bottom of page