Kalimet me gomone drejt Britanisë: Pse rrugët ligjore mbeten alternativa më e sigurt
- Saimir Kumrija
- May 31
- 3 min read

Rasti i fundit i një shtetasi shqiptar të dënuar pas kalimit të Kanalit Anglez duhet parë në një kontekst më të gjerë sesa vetë procedimi penal. Pas çdo kalimi të parregullt fshihet një histori personale, ekonomike apo familjare që shpesh i shtyn njerëzit drejt vendimeve të vështira në kërkim të një jete më të mirë.
Megjithatë, realiteti i emigracionit të parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar është bërë gjithnjë e më kompleks dhe më i rrezikshëm. Sipas raportimeve të fundit të BBC-së, vetëm gjatë fundjavës së Bank Holiday në muajin maj, pothuajse 1,000 persona mbërritën në Britani me gomone përmes Kanalit Anglez. Në të njëjtën kohë, autoritetet britanike ndërmorën procedime të menjëhershme penale ndaj disa personave të përfshirë në këto kalime, duke treguar një qasje dukshëm më të ashpër ndaj hyrjeve të parregullta (BBC, 2026).
Sipas Crown Prosecution Service (CPS), tre persona – nga Turqia, Algjeria dhe Shqipëria – u dënuan me tetë muaj burg për hyrje në Mbretërinë e Bashkuar pa leje hyrjeje. Mes tyre ishte edhe shtetasi shqiptar Elidjon Cota, 29 vjeç, i cili pranoi fajësinë përpara Gjykatës së Folkestone dhe u dënua me burgim (CPS, 2026).
Por zhvillimi më domethënës nuk lidhet vetëm me këto dënime. BBC raportoi se disa persona të tjerë janë akuzuar sipas dispozitave të reja ligjore për rrezikimin e jetës së personave gjatë kalimeve detare. Kjo vepër penale u fut në fuqi në janar 2026 nëpërmjet Border Security, Asylum and Immigration Act 2025 dhe parashikon deri në pesë vite burg për personat që konsiderohen se kanë drejtuar mjetet lundruese ose kanë rrezikuar jetën e personave gjatë udhëtimit (BBC, 2026; CPS, 2026).
Kjo tregon se Mbretëria e Bashkuar po kalon nga një fokus kryesisht administrativ i emigracionit drejt një qasjeje më të fortë penale ndaj hyrjeve të parregullta. Në deklaratat e saj, CPS ka theksuar se shumë nga këto akuza po autorizohen brenda pak orësh nga mbërritja e personave në territorin britanik, me qëllim që procedurat gjyqësore të fillojnë sa më shpejt.
Përtej aspektit ligjor, duhet të merret parasysh edhe rreziku human. Kanalit Anglez konsiderohet një nga korridoret detare më të ngarkuara në botë. Gjatë viteve të fundit janë regjistruar dhjetëra viktima në tentativat për ta kaluar atë me gomone të mbingarkuara. Shpesh personat që nisen drejt kësaj rruge përballen jo vetëm me rrezikun e humbjes së jetës, por edhe me pasoja afatgjata ligjore që mund të ndikojnë në çdo aplikim të ardhshëm emigracioni.
Në këtë klimë të re ligjore, është gjithnjë e më e rëndësishme që personat që synojnë të emigrojnë drejt Britanisë të informohen mbi alternativat ligjore që ekzistojnë. Sistemi britanik vazhdon të ofrojë mundësi përmes vizave të punës, bashkimit familjar, vizave studentore, sponsor licence për bizneset dhe kategorive të tjera të rregulluara nga ligji.
Rrugët ligjore mund të kërkojnë më shumë kohë, dokumentacion dhe durim. Megjithatë, ato ofrojnë siguri, stabilitet dhe mbrojtje afatgjatë. Një aplikim i përgatitur siç duhet shmang rrezikun fizik, procedimet penale dhe pasiguritë që lidhen me hyrjet e parregullta.
Po aq e rëndësishme është të kuptohet se rrjetet e trafikimit shpesh shfrytëzojnë shpresat dhe vështirësitë e njerëzve duke premtuar zgjidhje të shpejta, ndërkohë që i ekspozojnë ata ndaj rreziqeve ekstreme dhe pasojave serioze ligjore. Në shumë raste, personat që nisen drejt Kanalit Anglez nuk marrin informacion të plotë mbi ndikimin që një hyrje e parregullt mund të ketë në të ardhmen e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Asnjë projekt për një jetë më të mirë nuk duhet të fillojë duke rrezikuar jetën në det ose duke rënë në duart e trafikantëve. Edhe kur procedurat ligjore kërkojnë më shumë kohë, ato mbeten rruga më e sigurt për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, për të mbrojtur veten dhe familjen, si dhe për të shmangur pasojat që sjellin rrugët e parregullta.
Referenca
BBC News. (2026). Migrants jailed and charged after bank holiday Channel crossings.
Crown Prosecution Service. (2026). Migrants charged following small boat crossings during Bank Holiday heatwave.
Home Office UK. Small boat arrivals and Channel crossings statistics.
Border Security, Asylum and Immigration Act 2025.
Missing Migrants Project. English Channel migration fatalities data.
___________
Av. Saimir Kumrija
SRA Regulated Lawyer
Immigration Department – Bowden Jones Solicitor
London, United Kingdom




Comments